Kanë dështuar përpjekjet e autoriteteve për të gjetur një zgjidhje provizore që do të mundësonte kalimin e automjeteve në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas.
Bypass-i dhe rruga dytësore e hapur për kalim provizor kanë pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet e kryera në fundjavë dhe duke e bërë segmentin aktualisht të pakalueshëm.
Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.
“Situata është kritike. Ajo që ne shpresuam që do të ketë një plan rrëshqitjeje deri në 6 metra nuk është i tillë. Kemi rrëshqitje aktive. Masat paraprake të marra për krijimin e bypass-it dhe të unazës sekondare nuk rezultuan efektive, kështu që aksi do të vijojë të mbetet i mbyllur”, tha Ami Kozeli, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar njoftoi se po diskutohet një tjetër plan për rrugë alternative, që do të mundësojë hapjen e qarkullimit.
“Qoftë ajo ekzistuese e Spatharit, që është përdorur deri diku nga autoveturat, ndërkohë nga një diskutim që patëm sot me banorët thanë që mund të ekzistojë mundësia e një rruge sekondare këtu në Dragostunjë”.
Sipas kreut të ARRSH, aktualisht nga vlerësimet paraprake nuk rrezikohen banesat si pasojë e rrëshqitjeve të dherave, megjithëse po mbahen nën monitorim.
Ndërkohë, strukturat shtetërore do të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje.
Aksi Librazhd-Prrenjas vijon të jetë i bllokuar që prej ditës së shtunë, duke shkaktuar një situatë të rënduar me lëvizjen drejt juglindjes së vendit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 