Për të dytën herë, Gjykata e Posaçme e pati të pamundur të çelte gjykimin në themel për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe disa të pandehur të tjerë.

Shkak u bë mungesa e 4 avokatëve që linin pa mbrojtje personat në gjykim dhe për këtë, gjykata vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit për Veliajn si i vetmi në qeli për këtë dosje.

Kjo vendimmarrje u kundërshtua nga avokati i tij i cili tha se pasojat e shtyrjes së seancës nuk mund të binin mbi kryebashkiakun.

“Seanca e sotme u shty për shkak të Laert Haxhiut sepse avokatët ishin në gjyqin e tij”, tha avokati i Veliajt, Plarent Ndreca.  

Kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm dhe shkak për këtë sipas një deklarate të lëshuar nga paraburgimi, është bërë qëndrimi në kafazin e qelqtë që e konsideroi si jo dinjitoz.

“Kërkesa e radhës që do bëjmë është largimi i zotit Veliaj nga kafazi dhe vendosjen e tij pranë avokatit”, u shpreh Ndreca.

Veliaj, Xoxa dhe të pandehurit e tjerë po gjykohen me procedurë të zakonshme për akuzat e ngritura nga SPAK, më të rëndat korruspioni dhe pastrimi i parave. Seanca e radhës për këtë çështje do të mbahet në 16 qershor.

/tvklan.al