Dështim dhe kaos i plotë. Pas më shumë se dy javësh negociata maratonë që zgjatën dy ditë përtej afatit, samiti i klimës COP31 në Antalia u mbyll pa marrëveshje. Pa arritur asnjë konsensus, presidenti turk i konferencës, Murat Kurum, njoftoi mbylljen e bisedimeve për një tekst të ri dhe u largua nga skena në mes të fjalimeve, duke fajësuar disa shtete për bllokimin e procesit.
“Nuk do të ketë asnjë tekst të ri pas këtij. Në një mjedis ku nuk është arritur konsensus, do të zbatojmë vendimet ekzistuese. Disa vende, të fiksuara pas një fjale ose fraze të vetme, fatkeqësisht e penguan procesin duke ngritur çështje që nuk lidhen me klimën”, pohoi Murat Kurum, president i konferencës COP31.
Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kundërshtuan ashpër dokumentin final. Brukseli akuzoi se teksti mbështetej vetëm te teknologjitë e kapjes së karbonit, duke anashkaluar plotësisht shkaktarin kryesor të ngrohjes globale.
“Ne dështuam të rivendosim qartë nevojën për tranzicionin larg lëndëve djegëse fosile. Si e rënë nga qielli erdhi teknologjia e kapjes së karbonit si zgjidhja e re për gjithçka, sikur mund t’i harrojmë lëndët fosile. Kjo nuk është e pranueshme. Me zemër të thyer ne i themi ‘jo’ këtij vendimi”, u shpreh Wopke Hoekstra, komisioner i BE-së për klimën.
Kina shprehu keqardhje për mosmiratimin e tekstit, ndërsa vendet prodhuese si Arabia Saudite mbrojtën zgjidhjet teknologjike.
Ky dështim historik ndodhi në mungesë të plotë të Shteteve të Bashkuara, të tërhequra nga marrëveshjet klimatike, dhe në të njëjtën javë kur Uashingtoni, Moska dhe Pekini ranë dakord të rrisin prodhimin e naftës, duke treguar se luftërat dhe interesat energjetike kanë lënë në hije emergjencën klimatike.
Gjithashtu, ky është dështimi i parë historik që nga konferenca e Kopenhagës e vitit 2009.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
