Edhe tentimi i 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa ndonjë rezultat.

Seanca u ndërpre pas një përplasje verbale ndërmjet kryesuesit të Kuvendit dhe deputetes Ganimete Musliu.

Deri më tash nuk ka ndonjë rezultat konkret nga negociatat e Vetëvendosjes me Nismën për bashkëqeverisje.

Fatmir Limaj ka thënë se nuk janë të interesuar të kontribuojnë në zgjidhje gjysmake, por duan që të sigurohet një qeveri e shumicës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, duke e shfrytëzuar Avni Deharin në mënyrën më degraduese dhe arbitrare, po e pamundëson konstituimin e Kuvendit.

E ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se e drejta për formimin e shumicës duhet t’i merret Lëvizjes Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.

Klan News

/tvklan.al