Një tentativë për arratisje ka dështuar ditën e sotme në burgun e Shënkollit. Arratia e Adriano Berishës, 31 vjeç, ka zgjatur vetëm tre minuta. Ai arrit të kapej sërish pasi ishte larguar rreth 500 metra nga rrethimi i burgut, duke e kthyer brenda në qeli.

Por çfarë ndodhi?

Ngjarja është regjistruar gjatë orëve të mëngjesit, më konkretisht në 09:30. Berisha ndodhej në burgun e Shënkollit pasi i ishte caktuar masa mjekësore “mjekim i detyruar” me vendim gjykate dhe kjo IEVP shërben si institucion i posaçëm mjekësor. Ai ka tentuar të shfrytëzojë aktivitetin për sistemimin e mbeturinave në regjimin e jashtëm të institucionit, i cili kryhet nën mbikyqyrjen e gardianëve.

Por gjatë këtij procesi, 31-vjeçari ka kaluar telin e perimetrit të jashtëm. Në orën 09:33 ai është kapur nga gardianët pa rezistencë apo kundërshtim nga ana e tij, duke mos krijuyar asnjë incident apo rrezik për ta.

“Theksojmë se IEVP Lezhë është institucion mjekësor i posaçëm, ku zbatohen masa sigurie të përshtatura për pacientë dhe jo për të dënuar apo të paraburgosur. Kjo kategori personash trajtohet në mënyrë të diferencuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet mjekësore e të të drejtave të njeriut”, thuhet në një njoftim të Drejtorisë së Burgjeve.

Institucioni vijon funksionimin normal, ndërsa autoritetet po rishikojnë masat organizative dhe të sigurisë në mënyrë parandaluese, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të menaxhimit dhe sigurisë së pacientëve dhe stafit.

Kujtojmë se në Shkurt të këtij viti Daut Laze i cili vuante dënimin e tij në Burgun e Shënkollit u arratis duke kapërcyer murin rrethues. Ai u kap pas dy muajsh në arrati.

/tvklan.al