Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme kryeqytetin. Katër persona mbetën të plagosur me armë zjarri, ku mes tyre dy janë të mitur.
Atentati ka ndodhur afër Tregut Agro-ushqimor në Lundër, teksa është qëlluar me breshëri plumbash në lëvizje për disa kilometra.
Ndërkohë detaje të reja bëhen të ditura ditën e sotme. Mësohet se mbi 20 gëzhoja janë gjetur nga policia, teksa lidhur me autorët uniformat blu nuk kanë ende asnjë shenjë.
Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Traumës ku po marrin ndihmë mjekësore. Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se tre prej të lënduarve janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa i mituri 11-vjeçar paraqitet në gjendje më të rëndë.
Gazetari bën të ditur se të plagosurit të cilët kanë kaluar rrezikun për jetën janë marrë në pyetje nga ana e policisë dhe kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndonjë konflikt.
Shënjestra e atentatit nuk dihet, por policia ka dyshime që mund të kemi të bëjmë me një ngatërrim të objektivit, teksa ende nuk ka një pistë konkrete.
Mungesa e kamerave të sigurisë vështirëson punën e policisë. Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një automjet tjetër tip Fouristradë që është përdorur nga autorët, por policia ka dyshime që mund të jetë përdorur edhe ndonjë motor.
“Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. Stafa, 34 vjeç, K. Mullai, 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç”, njoftoi policia mbrëmjen e djeshme./tvklan.al