MB: Policja që kreu krimin kishte probleme mendore

Problemet psiqike dhe mosmarrëveshjet për çështje pronësie janë dy pistat ku po heton policia e Kosovës për krimin e 5-fishtë të së martës në familjen Bllaca në Gjilan.

Sipas mediave kosovare, autorja e krimit Valdete Bllaca, që u vetëvra pasi qëlloi për vdekje prindërit dhe dy vëllezërit, mbante armë në mënyrë të jashtëligjshme. 45-vjeçarja kishte 18 vite që punonte në Policinë e Kosovës dhe para 3 vitesh ishte transferuar nga Prishtina në Gjilan.

Por ajo ishte emëruar punonjëse civile në zyrat e komisariatit të qytetit të saj, pasi autoritetet ia kishin ndaluar të ishte pjesë e shërbimit policor pikërisht pasi kishte shfaqur probleme me shëndetin mendor. Armën e shërbimit që mbante dikur duhej ta kishte dorëzuar me kohë. Arsyeja pse nuk e ka dorëzuar do të jetë objekt hetimi.

Inspektoriati policor i Kosovës kërkoi pezullimin nga detyra të 4 punonjësve të policisë së Gjilanit për këtë ngjarje. 45-vjeçarja ishte e vetmja e punësuar në familjen e saj, ndërsa fqinjët thonë se mes familjarëve ka pasur mosmarrëveshje për pronësinë e banesës dhe për dhënien me qira ose shitjen e saj.

Kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri zhvilloi një takim me ministrin e Brendshëm Agim Veliu dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj, të cilëve u kërkoi bashkëpunim për hartimin e një ligji për nxjerrjen e parakohshëm në pension të punonjësve të policisë me probleme shëndetësore. Numërohen rreth 100 policë që i përkasin kësaj kategorie në Kosovë.

Tv Klan