Doganat: E aplikojmë në vetëm 9% të totalit të mallrave

220 biznese të Dhomës Amerikane të Tregtisë ishin të drejtpërdrejta, kur kërkuan në takimin me kreun e Doganave shfuqizim të sistemit të referencave për mallrat që importohen. Presidenti i kësaj Dhome, Enio Jaço e konsideroi këtë sistem si primitiv.

“Ky ligj është përmirësuar për arsye të punës së doganës, udhëzimeve që kanë kryer, por ka ardhur koha që kjo praktikë të eliminohet, pasi është primitive. Dëshiroj që të gjithë të kontribuojmë për këtë çështje, për të gjetur zgjidhje specifike.”

Por Drejtori i Përgjithshëm i Doganave tha se aplikimi i çmimeve të referencës gjatë vitit të shkuar është reduktuar ndjeshëm.

“Nëse në vitin 2013 përqindja e artikujve që rivlerësoheshin sipas të dhënave të disponueshme nga administrata doganore ishte në masën 19.07 % e numrit total të artikujve, kjo shifër në vitin 2019 është reduktuar në 9 % e totalit të artikujve të zhdoganuar.”

Bizneset ngritën një tjetër shqetësim, atë të kohës së gjatë të kontrollit në dogana edhe gjatë procesit të skanimit.

“Vonesa në skanim 2-3 orë, duhet të rritet stafi. Nuk ka kapacitete për skanimin dhe kontrollin.”

“Sigurisht që kemi dhe mangësi në zbatimin në praktikë të të gjitha lehtësive të krijuara, por mirëpresim dhe do të trajtojmë me seriozitetin maksimal çdo sugjerim tuajin”, u përgjigj kreu i Doganave.

Kërkesa për heqjen e çmimeve të referencës ka qenë e përvitshme nga ana e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Bizneset kërkojnë që doganat të marrin si referencë vlerën e transaksionit ose faturën e mallit përpara se të bëjnë vlerësime mbi modele çmimesh mesatare që hartohen për të gjithë.

Tv Klan