“T’i jepet fund korrupsionit dhe moszbatimit të kontratave”

Bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkojnë një reformë të thellë nga qeveria por dhe nga partnerët ndërkombëtarë që Shqipëria të përmirësojë klimën e investimeve.

Presidenti i Dhomës Enio Jaco u shpreh i shqetësuar lidhur me largimin e investitorëve nga vendi ynë dhe drejtimi i tyre në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Si shqetësim kryesor të investitorëve amerikanë ai numëroi moszbatimin e ligjit të konsultimit publik, ndryshimet e shpeshta fiskale, taksat e larta, moszbatimin e kontratave dhe korrupsionin.

Edhe pse këmbënguli që që çështja e korrupsionit duhet të marrë fund, Jaço pranoi se në disa raste konsultimesh Dhoma Amerikane është dëgjuar. Megjithatë ai tregoi rastin e një kompanie amerikane e cila po ndeshet me probleme për të ekzekutuar një kontratë të marrë, ndërsa paralajmëroi se do të publikojë dhe emra e shifra investitorësh të larguar.

Presidenti i Dhomës Amerikane tha se kompanitë e këtij grupi kanë pasur një ngadalësim në fund të 2019-ës dhe në fillim të këtij viti për shkak të tërmetit, ndërsa kërkoi politika konkrete për thithjen e investimeve në kohën që veprat e gazsjellësit TAP dhe të hidrocentralit të Devollit pothuajse kanë përfunduar. Deri më sot Dhoma Amerikane numëron 220 anëtarë, të cilët janë me shtetësi amerikane, kanë bashkëpronësi me kompani këtu ose kanë marrëdhënie tregtare me firma amerikane.

Tv Klan