Në Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë po shënon 20-vjetorin e themelimit të saj, në valën e një serie sfidash dhe projektesh të mëdha ekonomike për Shqipërinë dhe rajonin.

Presidenti i saj, Enio Jaço, thotë se Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, që u nënshkrua javën e kaluar, pritet të ngrejë në nivele të ndjeshme investimet dhe shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve.

Shqipëria, thotë ai, pritet të përfitojë ndjeshëm edhe nga projektet e përfshira në marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Ky 20 vjetor i themelimit e gjeti Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri me një seri projektesh dhe sfidash përpara. Edhe pse një vit pandemie dhe dëmtimesh të tjera, nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim ekonomik Shqipëri-SHBA dhe marrëveshje të tjera me rëndësi për ekonominë e rajonit e kanë kthyer optimizmin tek anëtarët e Dhomës Amerikane.

Presidenti i saj, Enio Jaço, thotë se këto 20 vjet e deri sot Dhoma Amerikane e Tregtisë ka qenë shumë produktive, e strukturuar mirë me vision të qartë, në mbrojtje të të drejtave të anëtarëve dhe të komunitetit të biznesit.

“Mendoj se ajo ka dhënë një impakt të lartë në mbrojtje të ekonomisë së tregut, parimeve të ekonomisë së tregut, gjithmonë ka denoncuar praktikat e pandershme, ka promovuar praktikat transparente dhe ka ndikuar në mënyrë të vazhdueshme drejt përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri” – thotë zoti Jaço.

Javën e shkuar u nënshkrua në Tiranë Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri-SHBA, ku theksi kryesor u vu tek investimet dhe raportet e biznesit. Zoti Jaço thotë se ky memorandum është nga më të rëndësishmit që nga vitet 90 në lidhje me bashkëpunimin ekonomik shqiptaro-amerikan dhe dëshmon interesin e SHBA-ve për ekonominë e Shqipërisë dhe të rajonit. Projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës është një lajm shumë i mirë për ekonominë shqiptare.

“Tani që projektet TAP dhe Devolli janë drejt përfundimit të tyre, Skavica do të ofrojë një impuls të ri, do të ofrojë një numër të madh punësimesh për shqiptarët. Gjithashtu do të ofrojë mundësi pune për nën kontraktorët shqiptarë, përfshirë edhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Po është më shumë se kaq. Në të njëjtën kohë i mundëson Shqipërisë një pavarësi energjetike, po gjithashtu mundëson që të jetë një lider në rajon sa i përket energjisë” – thotë zoti Jaço.

E nxitur nga marrëveshjet e fundit ekonomike në rajon, Dhoma Amerikane të Tregtisë në Shqipëri po forcon bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, së pari me Dhomën Amerikane në Uashington si dhe me rrjetin e gjerë të 109 dhomave amerikane në të gjithë botën për të rritur investimet e huaja këtu. Ndërkohë, klima e biznesit mbetet për t’u përmirësuar, duke nisur nga heqja e pengesave si monopolet dhe tregtia e pandershme, thotë zoti Jaço, kërkesa këto që përsëriten për vit, por nuk vlerësohen sa duhet.

“Klima e biznesit është më e rëndësishme se kurrë në këtë moment. Nëse deri tani ne kemi një bilanc tregtar me SHBA, i cili ka qenë nën potencialin e saj, tani ne kemi mundësi përmes këtij memorandumi që ta rritim këtë potencial ndoshta në nivelet më të larta në Ballkan. Kush mund ta pengojë arritjen e këtij potenciali? Një nga arsyet mund të jetë klima e biznesit” – thotë zoti Jaço.

Krahas memorandumit ekonomik SHBA-Shqipëri, Dhoma Amerikane e Tregtisë sheh me optimizëm edhe marreveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, që u nënshkrua në Uashington. Drejtuesi i saj, Enio Jaço, thotë se marrëveshja për normalizimin do të transformojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe Kosovës, por do të ketë një ndikim pozitiv për Shqipërinë. Në marrëveshje përmendet ndërtimi i një infrastrukture gjigande, që lidh Serbinë me Kosovën dhe del në një nga portet detare të Shqipërisë.

“Nëse kjo ndodh, atëherë do të thotë se kjo e shndërron Shqipërinë në një lloj qendre rajonale për sa i përket tregtisë rajonale, me një perspektivë të gjerë me një impakt shumë të lartë. Mendoj se do të jetë një potencial i jashtëzakonshëm dhe do të jetë detyra e politikës dhe e sektorit privat që ta bëjë të mundur këtë realitet” – thotë zoti Jaço.

Dhoma Amerikane e Shqipërisë ka marrëdhënie shumë të mira me dhomat amerikane në Kosovë, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut etj dhe nga fryma e bashkëpunimit do të vijë ofrimi i punës për nënkontraktorët e rrjetit të tyre, thotë zoti Jaço, por natyrisht kjo është një mundësi e madhe edhe për bizneset e tjera shqiptare. Dhoma Amerikane me anëtarët e saj përfaqëson një bashkim kompanish me 38 mijë punonjës dhe me xhiro të përbashkët sa 21 përqind e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë./Zëri i Amerikës