Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka kundërshtuar rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme, që ndalon përdorimin e telefonëve celularë nga mbrojtësit gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.

Kreu i dhomës, Maksim Haxhia, dhe drejtuesi i dhomës së avokatëve në Tiranë, Klodian Skënderi, dorëzuan pranë gjykatës një kërkesë për rishikimin e saj. Për media ata thanë se rregullorja e re cenon të drejtat e avokatëve.

“Kufizon haptas të drejtën e mbrojtjes, për të ushtruar profesionin e avokatit, të paktën prisnim konsultim me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë. Rregullorja në 3 nene kufizon përdorimin e celularit në sallën e gjyqit, jo në aspektin për të folur, por për të punuar. Gjë që bie ndesh me stadin e jetës së të gjithë shoqërive në mbarë botën. Celulari është një studio lëvizëse e jona, e kemi mjet pune.“

“Nuk gjejmë logjikë apo arsye përse duhet të vendoset ky kufizim. Telefoni është mjet pune për ne avokatët. Zhvillohen seanca 6-orëshe, avokati ka nevojë të komunikojë qoftë edhe me familjarët. Kufizim që bie ndesh me të drejtën për të ushtruar profesionin.”

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme u fut në fuqi këtë të martë, teksa ajo është kundërshtuar edhe nga shoqatat e gazetarëve, që konsiderojnë se cenon aksesin e medias në informacion.

Tv Klan

/tvklan.al