Një video me pamje të rënda, ku dy vajza dhunojnë në mënyrë brutale një bashkëmoshatare të tyre, është publikuar në rrjetet sociale.
Ngjarja është raportuar në Policinë e Fierit në datën 8 qershor, pas kallëzimit të viktimës së dhunës, të miturës 17-vjeçare.
Prokuroria e Fierit ka proceduar penalisht vajzat e përfshira. Sipas organit të akuzës, dy vajzat që ushtrojnë dhunën vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor dhe njëra prej tyre është arrestuar për dhunë në familje në datën 29 qershor të këtij viti dhe është dënuar nga Gjykata me mjekim të detyruar.
Për shkak të përmbajtjes tepër sensitive, Prokuroria e Fierit ka kërkuar ndalimin e publikimit të pamjeve në media e rrjetet sociale, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve.
Të afërmit pohojnë se pas ngjarjes gjendja emocionale e të miturës, që ra pre e dhunës, është rënduar.
“Erdhi vajza dhe nuk tregoi gjë për momentin. I tha e ëma: ‘Ku je vrarë?’ ‘Isha sëmurë, mora serum.’ Vonë pasdite i tha. E mori vajzën ajo dhe bëri denoncim. Vajza ka mbetur me traumë, kaloi në depresion”, pohoi fqinja.
Pamjet e rënda kanë sjellë shqetësim në mbarë opinionin publik. Por çfarë po ndodh me adoleshentët? Pse po bëhen më të dhunshëm?
“Faktorët biologjikë, psikologjikë dhe socialë. Është një tërësi faktorësh që ndikon në zhvillimin e adoleshentëve. Janë impulsivë, reagojnë në mënyrë të pakontrolluar. Fëmija nuk rritet vetëm në familje, por edhe në shoqëri. Kemi një mënyrë të imituari të asaj që ndodh përreth. Çfarë modeli u servirim ne adoleshentëve?”, u shpreh psikologia Arjana Muçaj.
Rastet e dhunës te adoleshentët janë rritur, ndërsa sipas sociologëve rrjetet sociale janë ndikimi kryesor i shtimit të tyre.
“Ekspozimi në rrjetet sociale për të fituar një status të tyre. Rrjetet sociale janë ushqim për adoleshentët. Kjo i bën ata të jenë më të dëshiruar”, tha Muçaj.
Rasti i Fierit, i përsëritur sipas sociologëve, sjell edhe një herë nevojën për vëmendje emergjente ndaj të miturve, rëndësinë e familjes, sistemit arsimor, institucioneve, si dhe rikthimin e shoqërisë në tërësi te modeli i vlerave.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 