Data e lirimit nga burgu e reperit dhe producentit të njohur amerikan Sean “Diddy” Combs ka ndryshuar sërish. Pas disa rishikimeve të njëpasnjëshme gjatë muajve të fundit, këtë herë lajmi është pozitiv për 56-vjeçarin, pasi lirimi i tij është parashikuar tre javë më herët.
Sipas TMZ, Diddy pritet të lirohet më 6 shkurt 2028, në vend të datës 2 mars 2028, e cila ishte përcaktuar vetëm muajin e kaluar.
Ndryshimet e shpeshta të datës së lirimit kanë tërhequr vëmendjen e mediave amerikane, veçanërisht pas transferimit të reperit në një tjetër institucion të vuajtjes së dënimit.
Fillimisht, Diddy mbahej në burgun federal FCI Fort Dix, në New Jersey, por muajin e kaluar u konfirmua transferimi i tij në FCI Allenwood, në Pennsylvania. Sipas raportimeve të mediave amerikane, vendimi për transferimin erdhi pas një sërë zhvillimesh dhe raportimesh për tensione brenda burgut.
Më herët, qarkulluan pretendime se reperi ishte përfshirë në një konflikt me një të burgosur, i përshkruar në raportime si një baron droge nga Xhamajka. Ky i fundit dyshohej se ishte zemëruar me Diddy-n pas një investigimi të NBC-së, ku pretendohej se artisti gëzonte trajtim të privilegjuar, pothuajse si një person VIP, brenda ambienteve të burgut.
Autoritetet, megjithatë, mohuan raportimet se Diddy ishte përfshirë në një përleshje. Pas publikimit të këtyre lajmeve, u raportua se ai ishte vendosur në izolim në FCI Fort Dix, përpara se të transferohej në Pennsylvania.
Sipas TMZ, José Rojas, përfaqësues i një sindikate të punonjësve të burgjeve federale, ka deklaruar se Diddy tashmë mbahet së bashku me të burgosurit e tjerë në institucionin e ri.
Ndërkohë, një zëdhënëse e Shërbimit Federal të Burgjeve, Randilee Giamusso, deklaroi për Daily Mail se institucioni nuk komenton kushtet e paraburgimit apo vendimet që lidhen me akomodimin e personave të burgosur, për arsye privatësie dhe sigurie.
/tvklan.al












Botërori 2026 
