Italia e drejtuar nga Gennaro Gattuso është vetëm një ndeshje larg kualifikimit në Kupën e Botës 2026, por përpara saj qëndron një kundërshtar i fortë dhe krenar, Bosnja dhe Hercegovina.

Përballja e së martës në Zenicë pritet të zhvillohet në një atmosferë të zjarrtë, në një stadium që konsiderohet si një “fortesë” e vërtetë për vendasit. Skuadra boshnjake, e drejtuar nga legjenda Sergej Barbarez, ka një vlerë totale prej rreth 120 milionë eurosh për 24 lojtarë.

Në këtë kontekst, një krahasim interesant vjen nga Italia: vetëm dy lojtarë të Interit, Alessandro Bastoni dhe Federico Dimarco, kanë së bashku një vlerë të barabartë me të gjithë skuadrën boshnjake. Në krye të sulmit qëndron kapiteni dhe simboli i kombëtares, Edin Džeko, i konsideruar si futbollisti më i madh boshnjak i të gjitha kohërave. Me 147 paraqitje dhe 73 gola, ish-sulmuesi i Manchester City-t, Romës dhe Interit mbetet pika kryesore e referimit për ekipin.

Megjithëse historia e kombëtares boshnjake është relativisht e re. Debutimi i saj zyrtar daton në vitin 1995 pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ajo ka arritur një sukses të rëndësishëm, pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2014. Megjithatë, Bosnja nuk ka arritur ende të kualifikohet në një Kampionat Evropian.

Përveç Džekos, në vitet e fundit kanë spikatur edhe emra të mëdhenj si Miralem Pjanić dhe Senad Lulić, duke ndërtuar një traditë solide futbollistike. Ndërsa sot, nën drejtimin e Barbarez, ekipi kërkon të shkruajë histori të re.

Vetë Barbarez është një figurë ikonike, ish-lojtar i Bundesligës me mbi 300 ndeshje, ai ka ndërtuar reputacionin e tij si një lider i fortë dhe simbol i identitetit kombëtar. Emërimi i tij si trajner në vitin 2024 u mirëprit me entuziazëm nga tifozët.

Ndërkohë, emocionet janë të mëdha edhe jashtë fushës.

Tifozët boshnjakë nga e gjithë bota janë rikthyer në atdhe për këtë sfidë vendimtare, duke e kthyer Zenicën në një arenë presioni maksimal për italianët.

Italia mbetet favorite në letër, por përballë një skuadre këmbëngulëse dhe një atmosfere elektrizuese, çdo gjë mbetet e hapur. Për Azzurrët, kjo është prova e fundit drejt Botërorit, për Bosnjën, një mundësi për të shkruar një kapitull historik.

Klan News

/tvklan.al