Një shkëndijë elektrike dyshohet se u bë shkak për zjarrin që përfshiu në orët e para të mëngjesit Pallatin e Kulturës në Maliq. Flakët u shfaqën fillimisht në katin e dytë të ndërtesës, ndërsa më pas u përhapën edhe në katin e parë të saj.

Konstruksionet me drurë në brendësi të ndërtesës bënë që zjarri të marrë përmasa të mëdha duke djegur thuajse tërësisht gjithë objektet me vlerë të muzeut etnografik. Veshje, kostume tradicionale si dhe vegla muzikore të ruajtura për vite më radhë janë shkrumbuar.

Punonjësit e pallatit u munduan të hapin me mjete rrethanore derën kryesore, ndërsa për të shuar zjarrin u dërgua fillimisht kjo zjarrfikëse që siç duket edhe nga pamjet nuk është në gjendje të mbajë nën kontroll as tymrat që lëshon nga amortizimi.

Më pas në vendngjarje u dërgua edhe një zjarrfikëse e dytë, e cila e pati të pamundur të vërë nën kontroll flakët që shkrumbuan tërësisht atë çfarë ndodhej në ndërtesë./ TV KLAN