Llixhat e Dimalit po kthehen në një pikë mjaft të rëndësishme të turizmit kurativ dhe natyror, sidomos gjatë muajve të verës.
Llixhat e Dimalit dëshmojnë një dyndje të madhe qytetarësh, jo vetëm nga rrethet fqinje si Berati, Kuçova, Fieri e Lushnja, por edhe nga mbarë Shqipëria e diaspora. Shumë prej tyre i zgjedhin këto ujëra termale për vetitë e tyre kurative, veçanërisht për problemet e reumatizmit, të lëkurës dhe të rrugëve të frymëmarrjes. Ujërat e kësaj zone janë të pasura me sulfur e minerale të tjera. Mjaft prej vizitorëve qëndrojnë për orë të tëra në ujërat e ftohta të pishinave apo vaskave të improvizuara termale, edhe si një mënyrë për t’u freskuar në vapën e verës.
Për shumë familje dhe pensionistë, këto vende janë alternativa ekonomike krahasuar me plazhet bregdetare. Seancat në ujërat termale bëhen gjatë orëve të mëngjesit, ku marrin pjesë të gjithë pa dallim moshe. Në këtë orë gjen një numër të madh të turistëve të huaj apo vendas, fëmijë apo të moshuar, ku të gjithë zhyten në ujërat termale të Dimalit, duke i lënë hapësira njëri-tjetrit.
Bashkia e Dimalit ka ndërtuar dy vaska të mëdha për llixhat, njëra prej të cilave përfundoi këtë vit. Gjithashtu, është ndërtuar edhe një urë këmbësorësh e re, e cila lidh qendrën me lagjen “28 Nëntori”, me qëllim shkurtimin e distancës drejt llixhave për banorët.
Sistemimi i rrugëve të lagjeve të qytetit dhe ndërtimi i një vaske të tretë për llixhat janë synimet e bashkisë për të tërhequr më tepër turistë drejt këtij atraksioni veror.
Investimi i bërë në llixhat e Dimalit ka sjellë fluks gjithnjë e më të lartë të vizitorëve. Ndërtimi i një vaske të tretë shihet si një nevojë emergjente për të rritur kapacitetet dhe përmirësuar infrastrukturën në këtë pikë të turizmit shëndetësor. Numri gjithnjë në rritje i pushuesve që zgjedhin këto ujëra sulfurore gjatë muajve të verës kërkon garantimin e kushteve më të mira higjienike dhe hapësira më të organizuara nga ana e bashkisë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 