Dinamo barazoi 2-2 ndaj Vorës, në duelin e javës së 10-të në Abissnet Superiore. Blutë e kryeqytetit ishin shumë afër fitores, por u barazuan vetëm në sekondat e fundi.

Vendasit e drejtuar nga Arian Bellai, e nisën ndeshjen shumë mirë, duke kaluar në avantazh në minutën e 13-të me anë të Brajan Gjylës.

Megjithatë, festa te Vora zgjati pak. Vetëm tetë minuta më vonë, dinamovitët rikthyen baraspeshën.

Në minutën e 21-të, ishte Malomo Ayodeji, i cili dërgoi shifrat në 1-1, me të cilat u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë, miqtë gjetën golin e përmbysjes. Florenc Farruku shënoi të dytin për Dinamon, duke i dhënë avantazhin. Kur fitorja dukej shumë afër, erdhi edhe barazimi. Dario Daka vulosi shifrat në 2-2, duke bërë që të shpërthejë festa e madhe.

Me këtë barazim, Dinamo mban vendin e tretë me 17 pikë, ndërsa Vora mban vendin e gjashtë me 12 pikë.

/tvklan.al