I ftuar mbrëmjen e sotme, 9 mars, në emisionin “Përballë lajmit ” në Klan News, ishte diplomati Jorgji Kote, i cili dha një panoramë mbi aktualitetin e luftës izraelito-amerikane ndaj Iranit.

Në lidhje me hedhjen e raketës së dytë iraniane ndaj Turqisë, Kote u shpreh se tashmë vendet e përfshira në konflikt janë në kaos dhe se ky veprim i ndërmarrë ndaj Turqisë është sporadik, pasi sipas tij Irani nuk mund t’i shpallë luftë aleatëve si Turqia apo vendeve të tjera të Gjirit. Megjithatë sipas diplomatit problemi i Iranit janë fraksionet ekstremiste, të cilat përbëjnë një mungesë uniteti dhe bëhen shkak për goditjet e gabuara në kohën dhe vendin e gabuar.

“Deklarata e  Erdogan është një qëndrim i drejtë, politik, diplomatik dhe i sigurisë ushtarake nga ana e Turqisë. Është një tërheqje veshi ndaj iranit për të mos e zgjeruar më tej konfliktin.”

I pyetur nga gazetari Besard Jacaj në lidhje arsyen e kësaj periudhe kohe kur po ndodh përplasja SHBA-Iran, Kote u përgjigj se ky sulm ndodhi tani për tri arsye edhe pse ka shumë pak kohë nga nënshkrimi i Bordit të Paqes.  

Arsyeja e parë sipas diplomatit Kote është synimi madhor gjeopolitik i SHBA-së për të konfirmuar Lindjen e Mesme si zonën e saj të influencës.

Së dyti, Kote përmend si arsye doktrinën e ujdive tw presidentit Trump, pasi nuk është i interesuar për paqen, por është i interesuar për naften, për pasuritë, ujditë tregtare, në kuadrin e sloganit “America first”.

Dhe së treti Jorgji Kote thotë se SHBA synoi Venzuelën dhe tani Iranin me qëllim që ta përdorë si armë naftën iraniane kundër Kinës, pasi dihet se ajo importon 11% të naftës së saj nga Irani.

“Amerika nuk ka plan politik. Ka një plan ushtarak. Nga ana ushtarake është më i qartë dhe Irani është shumë i dobësuar por nga ana politike është problem i madh se çdo ndodhë më pas. ”

Kote i pyetur gjithashtu në lidhje me domethënien e zgjedhjes së Mojtaba Khamenei si lideri i ardhshëm i Iranit, tha se zgjedhja e tij do e bëjë edhe më të ashpër regjimin se babai i tij. Këtu qëndron problematika sipas diplomatit se regjimi i tij mund të jetë më i ashpër dhe se është shumë e vështirë që t’ja nxjerrësh fundin, pasi lideri Khamenei e ka fuqizuar dhe zgjeruar shumë rrjetin e tij.

Sipas ekspertëve referon diplomati Jorgji Kote, lufta ka të ngjarë që të mbarojë në shtator por asgjë s’është e sigurt nëse nuk zgjidhet si do pushtohet dhe do vihet në kontroll Irani.

/tvklan.al