Një moment historik për American British STEM Academy. Shkolla përcolli maturën e saj të parë, një brez nxënësish që gjatë tre viteve të gjimnazit është dalluar për rezultate të shkëlqyera akademike, pjesëmarrje në projekte inovative dhe fitimin e çmimeve kombëtare e ndërkombëtare.

Mes emocioneve, duartrokitjeve dhe krenarisë së familjarëve, maturantët morën diplomat e tyre në një ceremoni festive që shënoi përmbylljen e një etape të rëndësishme dhe nisjen e një kapitulli të ri në jetën e tyre.

American British STEM Academy është kthyer në një nga modelet më inovative të arsimit parauniversitar në vend, duke zbatuar metodologjinë STEM dhe duke nxitur tek nxënësit mendimin kritik, kreativitetin, kërkimin shkencor dhe aftësitë e nevojshme për botën e së ardhmes.

“Një pjesë e konsiderueshme e nxënësve kanë siguruar tashmë pranimin në universitete prestigjioze ndërkombëtare, duke dëshmuar cilësinë e përgatitjes akademike dhe potencialin e tyre për të konkurruar në nivel global”, tha drejtoresha e gjimnazit, Mimoza Matraxhiu. 

Për mësuesit dhe prindërit, ky diplomim është rezultat i një pune të gjatë, bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët. Për vetë nxënësit, ai përfaqëson kurorëzimin e përpjekjeve dhe sakrificave të viteve të shkollës.

Mes buzëqeshjeve, lotëve të gëzimit dhe fotografive, ceremonia kulmoi me hedhjen tradicionale të kapeleve në ajër, simbol i përfundimit të një kapitulli dhe fillimit të një rrugëtimi të ri drejt universiteteve dhe karrierave të së ardhmes.

Matura e parë e American British STEM Academy lë pas një histori suksesi dhe vendos një standard të lartë për brezat që do të vijnë, duke dëshmuar se vizioni, përkushtimi dhe arsimi cilësor janë çelësi për formimin e liderëve të së nesërmes.

“Nga bankat e shkollës drejt universiteteve më të mira të botës, matura e parë e American British STEM Academy largohet sot me diploma në duar, por mbi të gjitha me një histori suksesi që sapo ka filluar”.

Tv Klan

/tvklan.al