U mbajt sot në 6 korrik protesta qytetare përpara Kryeministrisë. Grumbullimi i qytetarëve përpara godinës së Këshillit të Ministrave nisi si zakonisht që në orën 19:00.  

Qytetarët sërish bënë thirrje që kreu i qeverisë Edi Rama të japë dorëheqjen dhe kërkojnë po ashtu një “Shqipëri të re”.

Protestuesit me pankarta të shumta dhe flamuj kombëtar kanë thënë se situata në vend është tepër problematike, ndërsa kanë bërë thirrje për revolucion. Pasi u mblodhën para Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan edhe marshimin e përnatshëm.

Në ditët e fundit, disa nga protestuesit u përleshën edhe fizikisht me policinë përpara godinës së parlamentit. Protestuesit hodhën vezë e miell në makinat e deputetëve. Dhjetëra persona u arrestuan, ndërsa gjykata liroi thuajse të gjithë, duke i vendosur me masa të buta sigurie.

Kryeministri ka thënë se protestuesit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga Shqipëria, por se ka shtuar se ka grupe të caktuara interesi që duan të krijojnë kaos.

Për protestën e sotme përpara Kryeministrisë ka reaguar edhe kreu i qeverisë Edi Rama. Ai duket se e ka marrë me sportivitet tubimin.

Rama ka kujtuar vargjet e këngës së famshme të West Side Family, ku dhe ai këndonte kur ishte kryebashkiak. Kryeministri ka ndarë pamje të protestuesve në bulevard  dhe atyre që shohin Botërorin në shesh, duke thënë se kjo është Tirana e kontradiktave.  

“Live nga kryeqyteti i Europës së Ballkanit

Kjo osht Tirona jon, Tirona kontradiktës

E luftës, e paqes, errsirës dhe e dritës

Mashtrimit të vërtetës, shpifjes interesit,

e qejfit dhe e stresit, ahengut dhe biznesit”, shkruan Rama.

/tvklan.al