Barcelona dhe Xavi Hernandez janë gjithnjë e më afër divorcit. Verdikt që ishte paralajmëruar nga ana e trajnerit prej kohësh, por drejtuesit e bindën për të qëndruar. Gjithsesi, duket se situata është tensionuar së tepërmi dhe ndërprerja e bashkëpunimit do të kryhet.

Një mision që do të godas jo pak arkat e Barcelonës. Spanjollët do të kenë një kosto prej 20 milionë euro për prishje të kontratës. Këtu nuk përfshihen shpenzimet që lidhen me punësimin e një trajneri të ri, si edhe stafit të tij.

Çavi do të paguhet më pak nëse vendos të largohet vullnetarisht, për të treguar edhe dhembshurinë e tij për financat e klubit spanjoll. 44-vjeçari ka kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2025. Xavi mori drejtimin e klubit spanjoll në nëntorin e vitit 2021, teksa ndaj Almerias ishte në takimin e La Liga numër 100 në stol.

Që prej asaj kohe, spanjolli ka koleksionuar 69 fitore, 16 barazime edhe 15 humbje, me skuadrën që ka shënuar 193 gola dhe pësuar 86. Si futbollist, 44-vjeçari luajti për 17 vite me Barcelonën, duke bërë 767 paraqitje dhe fituar 25 trofe, përfshirë 4 Champions League dhe 8 tituj kampion të La Liga.

Pavarësisht se fitoi kampionatin vitin e shkuar, tekniku ka qënë nën presion këtë sezon, duke u eliminuar në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve dhe shumë i distancuar me Real Madrid kampion të Spanjës.

Klan News