Një qytetare nga Kukësi iu drejtua emisionit “Stop”, pasi prej rreth 7 muajsh priste zbardhjen e vendimit të divorcit nga ish-bashkëshorti.
Vendimi për zgjidhjen e martesës ishte marrë në nëntor 2025 dhe kishte marrë formë të prerë, nga gjyqtarja Ajshe Xhafa, por qytetarja nuk po arrinte të merrte dokumentin e zbardhur.
Situata, sipas denoncueses, kishte sjellë pasoja edhe për fëmijët e saj binjakë, pasi moszbardhja e vendimit, pengonte rregullimin e të dhënave të tyre familjare.
Koordinatori Arben Sokoli, tha se afati për zbardhjen e një vendimi është 15 ditë deri në një muaj, ndërsa vonesën e justifikoi me problemet shëndetësore të gjyqtares.
Pas ndërhyrjes së emisionit, qytetarja u thirr sërish në gjykatë, pasi u konstatuan edhe gabime në të dhënat personale në vendim. Korrigjimi i këtyre gabimeve zgjati vetëm një ditë.
Vetëm 48 orë pas ndërhyrjes së “Stop”, denoncuesja konfirmoi, se kishte marrë zbardhjen e vendimit dhe se çështja ishte zgjidhur.
“Përshëndetje! Doja t’ju thoja shumë faleminderit për ndihmën, për korrektësinë tuaj! Pas 48 orësh, unë kam marrë zbardhjen e vendimit. Kështu që, tani është çdo gjë në rregull. Faleminderit, jashtëzakonisht shumë, sepse çdo gjë kaloi kaq lehtë dhe kaq shpejt nga ana juaj! Për këto dy vite, që kam pritur, për dy ditë u zgjidh çdo gjë. Faleminderit shumë dhë ju uroj punë të mbarë dhe sa më shumë suksese në punën tuaj!“
/tvklan.al












Botërori 2026 