Më shumë se dy vite pas anulimit të tri koncerteve të Taylor Swift në Vjenë, për shkak të një komploti terrorist që synonte fansat e saj, ngjarja do të rrëfehet në një dokumentar të ri.

Sipas revistës “Variety”, produksioni do të titullohet “Taylor Swift Wien” dhe do të drejtohet nga Andreas Pichler dhe Veronika Kaserer. Premiera është planifikuar për tetorin e vitit 2027, fillimisht në televizionin gjerman ZDF, përpara shpërndarjes ndërkombëtare.

Dokumentari do të trajtojë planin terrorist të zbuluar në gusht të vitit 2024, kur këngëtarja ishte parashikuar të mbante tri koncerte në stadiumin Ernst Happel. Një prej të dyshuarve, Beran A., është dënuar me 15 vite burg për planifikimin e sulmit.

Sipas hetimeve, tre personat e përfshirë ishin radikalizuar në internet dhe kishin shprehur besnikëri ndaj organizatës terroriste ISIS. Plani parashikonte përdorimin e thikave dhe eksplozivëve të improvizuar, por ndërhyrja e autoriteteve austriake, me ndihmën e inteligjencës amerikane, bëri të mundur arrestimin e tyre përpara realizimit të sulmit.

Një nga temat kryesore të dokumentarit do të jetë kontrasti mes komuniteteve ekstremiste në internet dhe solidaritetit të fansave të Taylor Swift. Pas anulimit të koncerteve, shumë prej tyre u mblodhën në rrugët e Vjenës, ku kënduan këngët e artistes dhe shkëmbyen byzylykë miqësie.

Vetë këngëtarja kishte reaguar disa javë pas ngjarjes, duke rrëfyer frikën dhe tronditjen që kishte përjetuar.

“Anulimi i koncerteve tona në Vjenë ishte shkatërrues. Arsyeja e anulimit më mbushi me një ndjenjë të re frike dhe me një faj të jashtëzakonshëm, sepse kaq shumë njerëz kishin planifikuar të merrnin pjesë në ato koncerte. Por isha gjithashtu jashtëzakonisht mirënjohëse ndaj autoriteteve, sepse falë tyre, po përjetonim dhimbjen e anulimit të koncerteve dhe jo humbjen e jetëve. Më dha shpresë dashuria dhe uniteti që pashë te fansat, të cilët u bashkuan me njëri-tjetrin”, ishte shprehur Swift.

Ajo e ka rikthyer këtë ngjarje edhe në dokumentarin “Taylor Swift: The End of an Era”, ku ishte shprehur: “Ne i shpëtuam një masakre”.

/tvklan.al