Ipeshkëvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan është ndalur edhe tek Arbëreshët e Italisë.

Dom Gjergj Meta u shpreh se riti fetar ka ndikuar shumë në ruajtjen e Gjuhës Shqipe në komunitetin e Arbëreshëve.

Ipeshkëvi theksoi se ka pasur edhe koloni të tjera shqiptarësh që tashmë janë asimiluar dhe e kanë humbur gjuhën.

Blendi Fevziu: Si mund të kesh edhe ritet ortodokse dhe të jesh pjesë e Vatikanit?

Dom Gjergj Meta: Shiko kemi kishën dhe kemi kishat dhe ekzistojnë rreth 21 kisha të ritit lindorë, pra që nuk janë të ritit latin dhe ndër ta është edhe kisha Bizantine, por nuk është e vetmja që janë rite të veçanta brenda krishterimit. Disa nga këto kisha kanë një pjesë që varen nga Roma. Ato kisha kanë hierarkinë e tyre dhe zgjedhjet e tyre.

Blendi Fevziu: Arbëreshët këtë gjë e kanë për arsye gjeografike se u zhvendosën në Itali apo edhe gjatë kohës që kanë qenë në Shqipëri…

Dom Gjergj Meta: Janë të dyja, por edhe gjatë kohës që ata kanë qenë në Shqipëri kanë qenë të lidhur me Romën sepse jemi në vitet ku ka një lloj paqartësie dhe kur ata kanë ardhur në Itali e kane parë të natyrshme këtë lidhje me Romën që sigurisht hyn edhe elementi i mbijetesës. Edhe pse ata kanë vuajtur shumë për ta ruajtur ritin e tyre nga latinizmi dhe nga një lloj asimilimi. Por ama duhet thënë kjo që Gjuhën Shqipe atyre ua ka ruajtur riti fetar, dhe jo e kundërta, sepse ne kemi koloni shqiptarësh edhe në Puglia, por në Puglia tashmë janë asimiluar sepse kanë ardhur nga zona kanë gjetur ritin latin aty dhe kanë harruar edhe gjuhën. Kurse arbëreshët falë ritit të tyre fetarë kanë ruajtur edhe gjuhën.

/tvklan.al