Shkak përplasjet me Presidentit Trump

Një tjetër figurë i largohet Donald Trump-it nga administrata. Daniel Coats, shefi i Zyrës Kombëtare të Zbulimit, që ka nën urdhra CIA-n dhe NSA-në, dha dorëheqjen. Shkak sipas mediave ishin mosmarrëveshjet me presidentin. Lajmin e konfirmoi me këtë postim në Twitter edhe vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cili njoftoi zëvendësimin e Daniel Coats-it me John Ratcliffe kongresistin republikan nga Teksasi, i konsideruar si njeriu i besuar i Trump-it.

Washington Post e lidh largimin e tij me paralajmërimin që ish-prokurori special Robert Mueller i bëri Kongresit pak ditë më parë, se Rusia po kërkon të ndërhyjë edhe në presidencialet 2020.

Daniel Coats, me një karrierë të gjatë në radhët e republikanëve nuk ka qenë dakord me linjat e ndjekura nga presidenti për disa çështje, duke nisur nga Russiagate e deri tek kriza me Iranin e Korenë e Veriut.

Burimet thanë për Washington Post se Coats ndihej i lënë në hije nga presidenti, i cili nuk këshillohej me të për çështje të sigurisë kombëtare. Këtë e la të kuptohej edhe vetë Kouts në një forum, kur u përgjigj duke qeshur kur mori vesh lajmin se Trump kishte ftuar Putin të vizitonte Shtëpinë e Bardhë.

Coats është zyrtari i lartë i radhës që largohet pas ish-Sekretarit të Mbrojtjes Mattis dhe atij të Shtetit Tillerson.

Tv Klan