69 ditë pasi u zgjodh kryetare e komanduar e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala jep dorëheqjen. Ajo ia njoftoi këtë vendim këshilllit bashkiak përmes një letre ku thotë se largimi është për arsye personale

Për shkaqe personale, që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e kryetares së Bashkisë që m’u besua nga Këshilli Bashkiak Himarë

Menjëherë u njoftua se Këshilli Bashkiak i Himarës do të mblidhet ditën e premte për të votuar kryetarin e ri. Dy emrat që përfliten janë dy nënkryetarët aktual të bashkisë, Pervin Gjipuria dhe Arqile Bollano. Ky i fundit ka qenë edhe kryetar i Partisë Socialiste në Himarë dhe thuhet se mund të jetë kryetari i ri i Bashkisë.

Blerina Bala u votua si kryetare e komanduar në Himarë me 29 Mars. Ajo mori 15 vota pro ndërsa 4 anëtarë votuan kundër. Mbledhja u shoqërua me tensione pasi përkrahës të Fredi Belerit kundërshtuan praninë e prefektit të Vlorës, Vangjel Tavo.

Bala mori detyrën e kryetares pas arrestimit të Jorgo Goros me akuzën e tjetërsimit të dy pronave. Ndërkohë kryetari i zgjedhur më 14 Maj 2023 për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri ndodhet në burg për blerje votash.

Klan News