Borusia Dormtund do të kërkojë që të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa pret Atletiko Madridin në “Iduna Park”.
Verdhezinjtë nuk do të kenë të disponueshëm sulmuesin Sebastian Haler në këtë përballje të rëndësishme.
Trajneri Edin Terziç tha në konferencën për shtyp se rekuperimi i futbollistit mund të shkojë deri në tri javë.
“Sebastian ka një dëmtim të kaviljes! Do të pushojë për një javë, do të bëjmë një kontroll për të parë gjendjen. Por sipas llogarive tona, do të mungojë për 2-3 javë. Sa i përket sfidës, Atletiko është në një pozicion që mund të luajë me kundërsulme! Këtë e treguan në ndeshjen e parë. Ne luajmë në stadiumin tonë, një nga vendet më të mira sa i përket atmosferës. Jemi të sigurt se mbështetësit tanë duan të krijojnë një atmosferë të shkëlqyer që ne të arrijmë kualifikimin. Ne duam t’ua shpërblejmë me një performancë të mirë.”
Atletiko kërkon që të sigurojë një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë në shtatë vite. Për trajnerin Diego Simeone, ekipi është gati për këtë sprovë të vështirë.
Në takimin e parë, bardhekuqtë e mbyllën pjesën e parë në “Metropolitano” në avantazh 2-0 falë golave të De Pol dhe Lino.
Por Dortmund e shtoi presionin dhe shkurtoi disavantazhin falë golit të Haler, si dhe e goditi dy herë shtyllën.
Klan News