Drejtoresha e AKSH-it, Mirilda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi do të vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. Ky ka qenë vendimi që ka marrë gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Florian Kalaja, pasi ka dëgjuar argumentet e dhëna nga avokatët mbrojtës, por edhe qëndrimin e prokurorëve të SPAK. Të njëjtat masa sigurimi, ndalim për të dalë jashtë vendit, kanë mbetur në fuqi edhe për tre biznesmenët e akuzuar.
Sipas SPAK, biznesmenët dyshohet se kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive, si dhe kanë realizuar transaksione ndaj kompanive që nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit. Ata dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprave penale: pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.
Në seancën e kaluar, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në gjykatë prova të reja sa i takon hetimeve në lidhje me këtë çështje, për të bindur gjykatën që të vijojë masat e sigurimit të dhëna nga shkalla e parë.
Prokuroria e Posaçme është duke hetuar 12 procedura tenderuese, të cilat dyshohet se janë paracaktuar nga zyrtarë të AKSH-it, në mënyrë që paratë e tenderave të përfundonin në duart e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit. Këta të fundit janë në kërkim me masa sigurie “arrest në burg” në mungesë.
Po ashtu, gjatë hetimit të kësaj çështjeje, SPAK zbuloi edhe pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe, që ky i fundit të tërhiqej nga ankimet që kishte bërë për disa procedura tenderuese të zhvilluara nga AKSH-i.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 