Prokuroria e Posaçme i dorëzoi këtë të mërkurë disa akte të reja Gjykatës, që përmbanin veprimet hetimore të kryera gjatë 3 muajve kohë që i la gjyqtari i seancës paraprake për të plotësuar hetimet ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj për atë që njihet si dosja “Buka”.

Edhe me këto akte, për të cilat ka pak informacione, SPAK i tha Gjykatës të dërgojë në gjyq themeli ish-zyrtarin e lartë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në privatizimin e fabrikës së Bukës.

Një akuzë që kundërshtohet nga Ahmetaj, i cili nëpërmjet avokatëve të tij ka kërkuar pushim të kësaj çështjeje, pasi për ta nuk ka fakt penal dhe shteti nuk është dëmtuar.

Më 17 korrik, mbrojtja e Ahmetajt do të bëjë kundërshtimet e veta për kërkesën për gjykim, dhe GJKKO do të duhet të dalë me një vendim, pasi dy herë të tjera i ka konsideruar hetimet e SPAK si jo të plota.

Ahmetaj është nën hetim edhe në një dosje tjetër, për të cilën ndodhet në kërkim dhe ku prokurorët e posaçëm e dyshojnë se është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash.

Tv Klan

/tvklan.al