Gjykata e Posaçme e Apelit lehtësoi pozitat e mjekëve në dosjen e njohur si Onkologjiku, duke zbutur masën e sigurisë për farmacistin Florian Marku, i cili do të hetohet në detyrim për t’u paraqitur.

Nga ana tjetër e njëjta gjykatë vendosi të shuajë masën e sigurisë për ish-zëvendës drejtoreshën e QSUT, Brikena Qirjazi dhe Halil Gashin, babain e mjekut Edmond Gashi.

Në masë arresti në shtëpi për këtë dosje është vetëm ky i fundit, masa e të cilit u konfirmua edhe këtë të mërkurë.

Nën hetim për këtë dosje por që nuk kishin ankimuar vendimin e masës, janë edhe mjekja Alketa Pere, Emiljano Lela, Drilona Kishta, të hetuar në masën e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.

Ishte fillimisht Prokuroria e Tiranës e cila i mori ata nën hetim me dyshimet se ishin bërë pjesë e një skeme për dërgimin e pacientëve të diagnostikuar me tumore drejt spitalit privat, që administrohej nga babai i mjekut Edmond Gashi.

Apeli gjithashtu ngriti konfliktin e kompetencës për një pjesë të dosjes dhe do i kërkojë Gjykatës së Lartë nëse duhet të vijojë të hetohet nga SPAK apo jo.

Tv Klan