Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar akuzat Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi. Ish-kryetarja e LSI-së, që është nën masën “detyrim paraqitje”, do të gjykohet për 3 akuza: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

“Firmosëm ato fletët që s’jemi dakord, do shkojmë në Gjykatë. Do fillojnë procedurat, do ndjekim procedurat.”

Për të njëjtën dosje është marrë e akuzuar edhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi, ndaj të cilës nuk ka masë sigurimi. Ajo akuzohet se ka ndihmuar çiftin Meta – Kryemadhi në pastrimin e parave.

Pas kërkesës së avokatit për shtyrje, u vendos që Ilir Metës t’i komunikohen akuzat ditën e hënë. Në një reagim në Facebook, Meta deklaroi se do të paraqitet në SPAK sapo të kthehet avokati i tij, i cili ndodhet jashtë vendit. Ish-presidenti thotë se mezi pret gjykimin dhe përballjen pas 6 vitesh hetimesh, për të çmontuar këtë proces farsë të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste. Meta thotë se ndaj tij nuk ka asnjë fakt apo provë penale.

Ai ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar dhe do të gjykohet për 3 akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie.

Akuzat janë ngritur pas hetimit të SPAK-ut për aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.

Gjithashtu, i janë komunikuar zyrtarisht akuzat për pastrim parash edhe Ema Çokut, ndërsa ish-kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Pirro Xhixho, do të gjykohet për korrupsion pasiv.

Klan News

/tvklan.al