Më 30 qershor 2025, do të mbahet seanca e parë për dosjen “Partizani” në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në një deklaratë për shtyp, Berisha nuk dha ndonjë koment të gjerë për dosjen, por u shpreh se ai dhe të tjerët e përfshirë në çështje, ashtu sikurse dhe avokatët, nuk ka asnjë vendim në dorë të marrë nga gjykatësja që ka dërguar dosjen për gjykim.
“Së pari, komenti im është vetëm ky: personalisht ne të interesuarit dhe trupa e mbrojtjes nuk ka gjer sot në dorë vendimin e marrë nga gjykatësja që ka dërguar çështjen për gjykim. Nuk kemi vendimin. A mund të imagjinoni ju? Edhe kjo ndodh. Të gjitha të tjerat do përcaktohen nga konsulta me avoketërit, e cila është jashtë kësaj salle”, tha Berisha.
Kjo është hera e parë që nga krijimi i GJKKO-së, që në bankën e të akuzuarve do të ulët një ish-kryeministër.
Sali Berisha do të gjykohet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Çështja kaloi për gjykim pas rreth 7 muajsh seanca paraprake.
Ishte gjyqtarja Flojera Davishi, e cila vendosi të nisë gjyqin për ish-Kryeministrin, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja e Andia Pustina.
Malltezi i cili ndodhet në masën “arrest shtëpie” akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Të njëjtat akuza janë edhe për biznesmenin Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për pastrim parash.
SPAK e akuzon Berishën se gjatë kohës që ishte Kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
/tvklan.al












Botërori 2026 
