Mazhoranca ka depozituar në Kuvend propozimet e saj për ndarjen e re administrative‑territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive në 46 nga 61 që janë aktualisht.
Në draftin e PS, risi është edhe krijimi i një organizimi të ri vendor, që do të quhet “qyteti” dhe do të ketë një status të veçantë ligjor, duke e organizuar vendin në 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Ndërsa numri i qarqeve mbetet i pandryshuar, po 12.
Në qarkun më të madh, atë të Tiranës, Bashkia e Rrogozhinës propozohet të bashkohet me Kavajën, ndërsa Rinasi do të kalojë nga Bashkia e Krujës tek ajo e kryeqytetit. Në qarkun e dytë më të madh në vend, Patosi i bashkohet Fierit, ndërsa Lushnja i bashkohet Divjakës. Roskoveci dhe Mallakastra mbeten të paprekura.
Qarku i Elbasanit ka pësuar ndryshimet më të mëdha, ku Bashkitë Belsh dhe Cërrik i janë bashkuar Elbasanit, ndërsa Bashkia e Prrenjasit do t’i bashkohet Librazhdit. Të paprekura mbeten Bashkitë Peqin dhe Gramsh.
Edhe në qarkun e Durrësit propozohen ndryshime, ndërsa Bashkia e Fushë‑Krujës do t’i kalojë Krujës.
Ndryshime do të ketë edhe në Gjirokastër, ku Bashkisë do t’i shtohet Libohova. Në këtë qark, ndryshime të tjera janë Memaliaj që i bashkohet Tepelenës dhe Këlcyra me Përmetin. Ndërkohë, Bashkia e minoritetit Dropull mbetet e paprekur.
Korça do të shkojë me 5 bashki. Qytetit juglindor i bashkohet Maliqi, ndërsa Bashkitë e tjera Pustec, Ersekë, Bilisht dhe Pogradec mbeten njësoj. Qarku Kukës mbetet njësoj me 3 bashki: Kukës, Has dhe Tropojë.
Lezha ka ndryshime me Bashkinë Rubik që i bashkohet Rrëshenit, ndërsa Mamurrasi i kalon Kurbinit. Në qarkun Shkodër ndryshon vetëm Bashkia Fushë‑Arrëz, e cila i bashkohet Bashkisë Pukë.
Bashkisë së Vlorës do t’i bashkohet Bashkia e Selenicës, ndërsa Finiqi, Konispoli, Saranda dhe Delvina mbeten siç janë. Në qarkun Dibër, ndryshimi vjen vetëm për Bashkinë Mat, ku do t’i shtohet Bashkia e Klosit.
Ndërsa në Berat do t’i shtohet Bashkia e Dimalit dhe Poliçani, teksa Kuçova dhe Skrapari mbeten siç janë.
Ky konsolidim territorial, sipas Partisë Socialiste, nuk sjell “zhdukjen” e asnjë bashkie, por çdo qendër e prekur nga ky proces do të ketë përfaqësim institucional përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 