Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për strehimin social”, tashmë në konsultim publik, zgjerojnë ndjeshëm rrethin e familjeve që mund të përfitojnë banesa me kosto të ulët dhe krijojnë për herë të parë një garanci shtetërore për kreditë e lehtësuara.
Ndryshimi me ndikimin më të drejtpërdrejtë është rritja nga 1/6 në 1/2 e kufirit të të ardhurave vjetore neto, të llogaritura ndaj vlerës mesatare të banesës që kërkon të përfitojë familja.
Praktikisht, tavani i të ardhurave bëhet tri herë më i lartë. Për shembull, nëse vlera mesatare e banesës është 10 milionë lekë, sipas ligjit aktual mund të përfitojnë familjet me të ardhura vjetore neto deri në rreth 1.67 milionë lekë.
Me formulën e re, kufiri do të arrinte në 5 milionë lekë në vit.
Kjo e zgjeron programin përtej familjeve me të ardhura të ulëta, duke përfshirë edhe një pjesë të familjeve me të ardhura të mesme.
Megjithatë, projektligji nuk shpjegon se si do të ndikojë zgjerimi i përfituesve te renditja, fondet në dispozicion dhe koha e pritjes për familjet më në nevojë.
Shteti do të garantojë një pjesë të kredisë
Projektligji krijon mekanizmin e “Garancisë Sovrane”, përmes të cilit shteti do të garantojë një pjesë të principalit të kredive të lehtësuara për blerjen e banesës.
Garancia synon t’u lehtësojë familjeve marrjen e financimit nga bankat, veçanërisht kur ato nuk plotësojnë të gjitha kërkesat për kolateral ose vlerësohen si huamarrës me rrezik më të lartë. Ajo do të aktivizohet vetëm nëse huamarrësi nuk paguan kredinë dhe institucioni financiar ka ndjekur më parë procedurat për rikuperimin e detyrimit.
Pagesa nga shteti nuk ia fal borxhin familjes. Huamarrësi mbetet përgjegjës për shlyerjen e plotë, ndërsa shteti ruan të drejtën të kërkojë kthimin e shumave që ka paguar për llogari të tij.
Ndikimi real i garancisë nuk mund të vlerësohet ende, pasi projektligji nuk përcakton përqindjen e principalit që do të mbulohet, kategoritë që do ta përfitojnë apo tavanin financiar. Të gjitha këto lihen për t’u vendosur nga Këshilli i Ministrave dhe do të varen nga kufiri i garancive të miratuar çdo vit në buxhetin e shtetit.
Bashkitë mund të shesin apartamente me çmim tregu
Projektligji parashikon krijimin e projekteve të banimit me destinacion të kombinuar. Bashkitë dhe subjektet publike përgjegjëse për strehimin do të mund të ndërtojnë në të njëjtin projekt banesa sociale me qira, banesa me kosto të ulët dhe apartamente për shitje në tregun e lirë.
Apartamentet e tregut do të shiten me procedura konkurruese, ndërsa të ardhurat duhet të përdoren për financimin, zgjerimin dhe mirëmbajtjen e programeve të strehimit social.
Projektligji u jep këshillave bashkiakë të drejtën të miratojnë ndryshimin e destinacionit të një banese sociale me qira në banesë me kosto të ulët, pra në një banesë që mund t’i kalojë një përfituesi përmes shitjes ose financimit të lehtësuar.
Projektligji heq gjithashtu detyrimin që, për banesat e blera pas ankandit të parë, kontrata e shitjes të përmbajë ndalimin e tjetërsimit të pronës ose ndryshimit të destinacionit të saj si banesë sociale. Heqja e kësaj garancie ligjore kërkon sqarim, pasi mund ta bëjë më të lehtë nxjerrjen e këtyre pasurive nga funksioni fillestar social.
Kontributi prej 3% i ndërtuesve mund të përdoret në të gjitha programet
Ligji aktual detyron subjektet private që ndërtojnë mbi 2,000 metra katrorë sipërfaqe banimi të kalojnë pa pagesë të paktën 3% të sipërfaqes funksionale në fondin publik të banesave sociale.
Projektligji nuk e ndryshon masën prej 3%, por qartëson se ky kontribut mund të përdoret për të gjitha programet e strehimit social. Banesat me kosto të ulët mund të sigurohen tashmë edhe përmes kontributit të sektorit privat.
Parashikohet gjithashtu edhe një program i veçantë për subvencionimin e qirasë së “kategorive të veçanta”. Përfituesit, kriteret dhe masa e subvencionit do të vendosen me vendim të Këshillit të Ministrave. /ekofin.al
/tvklan.al












Botërori 2026 
