Kryeministri italian dëshiron që ta transferojë finalen e Euro 2020 në Romë

Mario Draghi nuk do që finalja e Euro 2020 të luhet në Wembley. Ëndrra e tij është që ta sjellë atë në Romë. Kryeministri italian e shprehu dëshirën e tij nga Berlini, ku u takua me kancelaren Anxhela Merkel.

“Kam qëllim të angazhohem që finalja të mos luhet në një vend ku infektimet po shtohen me shpejtësi”. Në Itali janë gati për këtë sipërmarrje, pasi e treguan me hapjen e Evropianit.

Por për Dragin ky do të jetë mision i vështirë, duke qenë se UEFA është afër akordit me qeverinë angleze për të lejuar që në finale të marrin pjesë 60 mijë spektatorë.

Një tjetër kërkesë që pritet të miratohet është lejimi i 2500 zyrtarëve, përfaqësuesve të kompanive dhe të medias që të hyjnë në Britani e të mos karantinohen.

Ndërkohë qeveria britanike është e angazhuar plotësisht që kushtet e sigurisë të jenë maksimale dhe kërkesat e institucionit numër 1 të futbollit evropian të plotësohen.

Klan News