Komiteti i Ekspertëve mblidhet të mërkurën

Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të mblidhet të mërkurën për të marrë disa vendime të rëndësishme rreth masave aktuale për frenimin e përhapjen e Covid 19 në vend.

Burime të Televizionit Klan bëjnë me dije se ekspertët po diskutojnë për lehtësimin e një sërë masash duke parë edhe shifrat në ulje të kohëve të fundit.

Një prej vendimeve që pritet të merret është një hapje e pjesshme e universiteteve, të cilët aktualisht po zhvillojnë mësimin vetëm online që prej fillimit të vitit akademik.

Nga kjo e martë nisi mësimi në klasa për të gjithë gjimnazistët.

Një tjetër vendim që pritet të merret është edhe rikthimi ose jo i karantinës dy javore për shtetasit që hyjnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Më 19 Prill, Komiteti vendosi që të gjitha ata që vijnë në Shqipëri nga këto dy shtete t’i nënshtrohen karantinës dy javore, por ky urdhër ka përfunduar efektin e tij në 3 Maj.

Aktualisht ata që hyjnë në vendin tonë nuk kanë asnjë detyrim për karantinim. Do të jetë Komiteti i Ekspertëve ai që do të saktësojë në mbledhjen e të mërkurës nëse do vijohet në këto kushte apo do të rikthehen karantina.

Ashtu si në Shqipëri situata e Covid-19 në këto dy shtete është përmirësuar ndjeshëm, duke bërë që të ketë lehtësim të masave.

Tv Klan