Tryeza e thirrur nga Kryeministri Edi Rama, me drejtues të institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi çështjen e pagave të magjistratëve, nuk u mbajt këtë të hënë, siç ishte parashikuar.
Shoqatat e magjistratëve, unioni i gjyqtarëve dhe gjykatat e prokuroritë, përmes disa shkresave dërguar pas thirrjes, njoftuan se nuk do të ishin të pranishëm.
Në një reagim për Tv Klan, shoqata dhe unioni i gjyqtarëve thanë se për sa kohë çështja është dërguar në Kushtetuese, do duhet të pritet vendimi I saj.
“Ne jemi për dialog për zgjidhjen jo vetëm të çështjes se pagave por edhe për përmirësimin e statusit të gjyqtarëve në përgjithësi, si dhe problematika të tjera që shqetësojnë sistemin e drejtësisë sot. Por sa kohë që çështja ka kaluar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese është e nevojshme të presim vendimin e saj pasi, pa këtë vendim çdo diskutim për çështjen e pagave do të ishte i kotë, sa kohë palët kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje!”, thuhet në reagimin e Unionit të Gjyqtarëve.
Shoqata e Gjyqtarëve shtoi se ftesa do të duhet të kishte ardhur para miratimit të ligjit në 17 shtator, i cili sipas tyre nuk zbaton vendimin e parë të Gjykatës Kushtetuese.
Nga ana tjetër, Kryeministria përmes një emaili thotë se mbetet e hapur për dialogun në vazhdim.
“Duke ju falënderuar për komunikimin dhe sqarimet e përcjella lidhur me kërkesën për shtyrjen e takimit të sotëm, mirëkuptojmë këtë kërkesë, ndonëse vlerësojmë se dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë mbetet i rëndësishëm dhe në parim, i pavarur nga procese të tjera që mund të zhvillohen paralelisht. Në çdo rast, mbetemi të hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministria po ashtu bën të ditur se nga kjo e hënë do të vijoj puna për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm.
Në fillim të shtatorit, Thesari bllokoi pagat e magjistratëve, pasi këta të fundit kishin dërguar aty listepagesa me formulë të re, e miratuar me vendim të KLGJ dhe KLP.
Edhe pse magjistratët e mbrojtën këtë vendimmarrje me kalimin e afatit tre mujor që Kushtetuesja kishte lënë kohë për të miratuar fomulën e re, Qeveria i konsideroi ato vendime si ndërhyrje në pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv.
/tvklan.al












Botërori 2026 