“Grupet kriminale të trafikut të lëndëve narkotike, për të humbur gjurmët e aktivitetit të tyre të paligjshëm, po shmangin paratë kesh dhe gjithnjë e më shumë po përdorin pagesat në kriptovaluta. Për të luftuar këtë aktivitet dhe jo vetëm, Ministria e Brendshme ka hartuar një strategji kombëtare kundër krimit të organizuar”.

Kohët e fundit ka një trend rritës në përdorimin e kriptomonedhave për pagesa në tregun e lëndëve narkotike, duke mundësuar fshehjen e gjurmëve financiare, si dhe përdorimi i rrjetit Darkweb për të shpërndarë lëndët narkotike, duke ruajtur anonimitetin e shpërndarësve të këtyre lëndëve. Një element i evidentuar është përdorimi gjithnjë e më i madh i mjeteve teknologjike dhe platformave online për të lehtësuar kryerjen e aktiviteteve kriminale.

“Me përjashtim të lëndës së cannabis-it, ku Shqipëria është vend origjine, për lëndët e tjera si heroinë dhe kokainë, Shqipëria rezulton vend tranzit. Në vitet e fundit është zgjeruar aktiviteti i trafikimit të kokainës, e prodhuar në vendet e Amerikës së Jugut (Kolumbi, Ekuador dhe Brazil), e transportuar në rrugë detare drejt Portit të Durrësit për të vijuar më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian”.

Hetimi i aktiviteteve të paligjshme në fushën e kriptomonedhave pritet të bëhet me ngritjen e strukturave dhe trajnimin e punonjësve, por dhe bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare për shkëmbimin e informacionit, duke rritur kapacitetet për të goditur grupet kriminale.

Një tjetër aspekt i cili kërkon vëmendje të shtuar është fenomeni i pastrimit të parave me prejardhje nga aktivitete kriminale. Në strategjinë e Ministrisë së Brendshme thuhet se sektorët ekonomikë që përdoren më shpesh për të pastruar paratë janë: sektori i pasurive të paluajtshme, ndërtim, tregtia, sektori i shërbimeve telematike (Call Center), konsulenca në fushën ekonomike dhe ligjore.

Strategji e cila është nxjerrë për konsultim publik, nëse votohet në Kuvend, do të zbatohet për 4 vite, nga 2026 deri në 2030.

Klan News

/tvklan.al