05 shtator 2026- Antidroga e Tiranës ka arrestuar një 20-vjeçar, i dyshuar se kishte porositur më shumë se 4 kilogramë kanabis me përqindje të lartë THC nga SHBA, me destinacion Shkodrën.
Sipas burimeve, D.S. ishte mbajtur nën vëzhgim për më shumë se dy javë, ndërsa për porosinë dyshohet se kishte përdorur numrin e identifikimit dhe numrin e telefonit të një personi tjetër, të cilët i kishte marrë nga një faqe në rrjetet sociale ku publikohen karta identiteti të humbura.
Lënda narkotike, me një vlerë që në treg kapte rreth 20 mijë euro, ishte parashikuar të tërhiqej në një pikë poste në Shkodër. 20-vjeçari është shfaqur disa herë pranë postës, por nuk e ka tërhequr pakon, pasi dyshohet se ka pasur frikë.
Lëvizjet e të riut janë fiksuar nga kamerat e sigurisë, ndërsa ai kishte udhëtuar drejt Shkodrës me taksi. Përmes gjurmimit të automjetit, hetuesit kanë arritur të lokalizojnë edhe banesën e tij në Bathore.
Fillimisht, 20-vjeçari dyshohet se e ka pranuar autorësinë e porosisë së drogës, por më pas gjatë dëshmisë e ka mohuar.
Sipas burimeve, i riu njihet edhe si përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Delivery”, për goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nga SHBA-ja, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Identifikohet dhe vihet në pranga 20-vjeçari, i cili kishte porositur një pako me Cannabis me përqindje të lartë THC.
Në vijim të operacioneve për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, si dhe në bashkëpunim me filialin “Qendra Tranzite” të Postës Shqiptare, finalizoi operacionin policor të koduar “Delivery”.
Në kuadër të këtij operacioni, pas një hetimi të kryer për rastin, u bë i mundur identifikimi i shtetasit D. S., 20 vjeç, banues në Bathore, si porositës i pakos me 4 kg e 641 gramë Cannabis me përqindje të lartë THC, e dyshuar se ishte trafikuar nga SHBA-ja. Në vijim të veprimeve procedurale, 20-vjeçari u vu në pranga nga shërbimet e Policisë.
Pakoja, e cila përmbante 8 paketime me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis, me peshë totale 4 kg e 641 gramë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga ana e Policisë po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al












Botërori 2026 