Tre dronët “Bajraktar” të blerë së fundmi nga Turqia do të përdoren për monitorimin e territorit për luftën kundër kultivimit të kanabisit. Kështu deklaroi Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në takimin e zhvilluar në Vlorë me drejtuesit e njësive të Vlorës, Himarës dhe Selenicës, ku theksoi se dronët do të jenë në ndihmesë krah mjeteve ajrore të GdF në goditjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit.

“Gjatë vitit 2023 plot 300 mijë bimë kanabis dhe këtu nuk po fus pastaj fara e gjithçka tjetër dhe nëse gjatë vitit 2023 i dhamë një goditje të fortë, viti 2024 duhet të shënoj heqjen nga lista e halleve dhe probleme të Shqipërisë të këtij fenomeni”.

Ministri i Brendshëm theksoi se dronët “Bajraktar” do të përdoren dhe për verifikimin e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare.

“Për të dhënë një përgjigje përfundimtare ndaj gjithkujt që ende nuk ka vënë mend, se nuk mund të ndërtohet më pa leje. E këtu nuk po flas për riparimet e çative që të jem i qartë ia kam bërë me dije drejtorëve të drejtorive vendore të policisë”.

Në ditët në vijim do të nisin kontrollet e para nga ajri, përmes fluturimeve të dronëve, për të monitoruar territorin.

Tv Klan

/tvklan.al