Florida Tufa është një vajzë 28-vjeçare, që jeta e ka përballur me shumë sfida. Në moshën 5-vjeçare, nëna e saj ndërroi jetë. Kur ishte në vitin e tretë në universitet, ajo mësoi se vuan nga skleroza e shumëfishtë. Sëmundja avancoi me kalimin e viteve dhe si pasojë Florida nuk mund të ecë dot.

Ka provuar shumë medikamente, por asnjëra prej tyre nuk po jep rezultat. Në muajin Qershor të këtij viti, në një spital të Beogradit, Floridës i dhanë shpresë se mund të eci sërish. Ajo duhet të bëjë 3 operacione që kushtojnë 40 mijë Euro, por familja e saj nuk ka mundësi ekonomike të paguajë ndërhyrjet. Florida ka shumë ëndrra që iu prenë në mes, si pasojë e sëmundjes. Në studion e “Historia ime” në Tv Klan, ajo ka bërë thirrje për ndihmë.

Florida: Unë kam shumë ëndrra, fillimisht dua të shoh familjen time të lumtur sepse kanë vuajtur shumë mbas meje. E dyta, të realizoj ëndrrat e mia të lëna përgjysmë dhe të eci si dikur, të jem Florida e dikurshme.

Mirela Milori: Cili moment të ka lënduar më shumë?

Florida: Momente të vështira kur kam pasur dhimbje këmbësh. Sëmundja ka filluar të avancojë, këmbët s’mund t’i lëviz, i kam shumë të ngurta, dridhje këmbësh. Mundohem ta kaloj me gjumë, kur kam shumë dhimbje.

Mirela Milori: Pse erdhi rrënimi ekonomik i familjes?

Florida: Kam shkuar 6 herë në Itali, 4 herë në Greqi, shumë shpenzime kam bërë.

Mirela Milori: Ke ndonjëherë inat me jetën? Thua pse unë?

Florida: Po shumë herë e kam menduar këtë, pse të gjitha gjërat e këqija duhet të më ndodhin mua? Por Zoti i bën për një arsye dhe shpresoj që Zoti të më ndihmojë, që unë të jem Florida e dikurshme.

Mirela Milori: Kur mendon jetën e dikurshme, ke ndonjë peng, thua pse s’e bëra këtë?

Florida: Jo sepse ëndrra ime ishte të vazhdoja shkollën e lartë, dy muajt e fundit të shkollës u diagnostikova me këtë sëmundje, doja ta lija shkollën. Babi dhe mami më thoshin jo nuk ke për ta lënë, ti je e fortë, ti do ta vazhdosh. Nuk mundesha dot të shkoja në universitet, babi pagoi një taksi që më çonte në universitet dhe nga universiteti prapë në shtëpi, që mos e lija shkollën… Dëshira ime më e madhe është të shërohem. /tvklan.al