Një vajzë në Tiranë stërvitet rregullisht në sportet e rënda me qëllim që të plotësojë kushtet për të qenë një truprojë e mirë. Ajo mendon se profesioni i bodigardit nuk duhet të jetë ekskluzivitet i meshkujve, pasi edhe femrat janë të afta për të garantuar mbrojtjen fizike.  

Nëse mendojmë për bodigardë, shumë prej nesh përfytyrojnë burra  trupmëdhenj, muskulozë dhe të stërvitur, të aftë për të mbrojtur zyrtarin apo personin për të cilin punojnë. Por kjo vajzë dëshiron ta thyejë këtë stereotip gjinor. Desara Duka,  ka rreth 5 vite që ushtron sportin e taekëondo, me dëshirën për t’u bërë një truprojë.

21-vjeçarja tregon për Klan Plus se shpreson që një ditë të mund të realizojë ëndrrën e saj.

“Jam stërvitur fort për këto 5 vite, që pse jo të bëhëm një bodigarde, sic e kam ëndërr. Do ishte një vëmendje e madhe për një femër që të ishte bodigarde këtu në Shqipëri, dhe do ishte vërtetë mirë që edhe ne t’i bashkangjitemi pjesës së Evropës”.

Ajo tregon dhe përparësitë që ka në punë një badigarde femër.

“Avantazhi për mua nësë unë do isha një bodigarde femër do të ishte se armiku nuk do të dyshonte tek unë, sepse të gjithë bodigardët në Shqipëri janë meshkuj. Pra një femër s’do të dyshohej nësë do ishte bodigarde. Gjithashtu është më e lehtë të krijohet besimi mes 2 femrave”.

Ajo thekson se nuk e ka problem të përballet me një mashkull dhe mund t’ia dalë të jetë fituese.

“Gjatë këtyre 5 viteve, shumë shpesh, në mos gjithmonë jam stërvitur me meshkuj, kam baraspeshuar forcën e tyre, edhe të tregoj se jo vetëm një mashkull mund t’ia dalë, por gjithashtu edhe një femër”.

Desara ka dhe një këshillë, që dëshiron t’jua përcjellë të gjitha vajzave dhe grave në Shqipëri, të cilat kanë të njëjtën ëndërr si ajo.

“Do t’ju thoja që të stërvitesh fort, të stërvitesh sa më shumë për të arritur ëndrrën tënde, nëse edhe ato kanë ëndërr të bëhen bodigarde. Do të ishte shumë mirë që ato të merreshin me sport, sic janë sportet e vetëmbrojtjes”.

Burimi: Klan Plus