Edhe një ekspozim i vetëm ndaj produkteve të duhanit me ngrohje, si pajisja IQOS, shkakton dëmtime në enët e gjakut. Kjo është gjetja e një studimi të kryer nga Shoqata Europiane e Kardiokirurgjisë, të publikuar në revistën shkencore European Journal of Preventive Cardiology.
Hulumtuesit analizuan mostrat e gjakut, presionin arterial dhe funksionin vaskular tek duhanpirës të rritur të shëndetshëm para dhe pas përdorimit të dy cigareve me ngrohje njëra pas tjetrës. Sipas drejtueses së studimit, Dr. Lea Strohm, nga Qendra Mjekësore Universitare Mainz në Gjermani, rezultatet sfidojnë narrativën se këto produkte janë dukshëm më pak të rrezikshme për sistemin kardiovaskular në krahasim me cigaret tradicionale dhe rihapin debatin mbi rregullimin e të gjitha produkteve me nikotinë.
“Edhe ekspozimi afatshkurtër ndaj duhanit me ngrohje, IQOS, ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar çrregullime në funksionimin e enëve të gjakut, ndryshime metabolike dhe dëmtime gjenetike te persona që, pavarësisht përdorimit të duhanit, gëzonin shëndet të mirë”, tha drejtuesja e studimit.
Në studim morën pjesë 30 duhanpirës të rritur, me moshë mesatare 34 vjeç, të cilët nuk kishin probleme të njohura shëndetësore. Pas marrjes së mostrave të gjakut, matjes së tensionit dhe ekzaminimit me ultratinguj të arteries kryesore në krahun e djathtë, pjesëmarrësit përdorën produktin me ngrohje, pas përdorimit rikontrolli evidentoi se tensioni u rrit, funksioni i enëve të gjakut u përkeqësua me 11%; ngopja e gjakut me oksigjen ra nga rreth 71% në 46%, duke sinjalizuar ndryshime në furnizimin e organizmit me oksigjen.
Studiuesit konstatuan gjithashtu dëmtime të ADN-së në qelizat e gjakut dhe shenja të stresit oksidativ, një shenjë se qelizat po përpiqen të mbrohen nga dëmtimi.
Autorët e këtij studimi paralajmërojnë se asnjë produkt që përmban nikotinë, pavarësisht nëse konsumohet përmes cigareve tradicionale, produkteve me ngrohje apo cigareve elektronike nuk mund të konsiderohet i sigurt për zemrën dhe enët e gjakut. Sipas autorëve, pavarësisht se nuk ka proces djegieje, nikotina e çliruar përsëri dëmton shtresën e brendshme të enëve të gjakut, rrit tensionin arterial dhe nxit zhvillimin e aterosklerozës.
Ndaj ekspertët kërkojnë që politikëbërësit të mos bëjnë dallime mes nikotinës që digjet dhe asaj që nuk digjet, por t`i rregullojnë të gjitha produktet e nikotinës përmes një kuadri të vetëm ligjor, që përfshin kufizime për aromatizuesit, ndalim reklamash dhe ndalim përdorimi në ambientet e mbyllura.
/tvklan.al












Botërori 2026 