Për Alban Bushin, Kombëtarja shqiptare do të jetë ambicioze në Europianin e 21-vjeçarëve. Trajneri i kuqezinjve e konsideron një short pozitiv, pavarësisht se do të përballet me Spanjën, Italinë dhe Finlandën. Ai thotë se arma shtesë janë tifozët në stadium.
“Mendoj që është një short i mirë, duke parë të gjitha ekipet që kanë shumë kualitet. Ne do të kemi ambiciet tona dhe do të jemi konkurrues në çdo ndeshje, se jo vetëm që kemi një ekip të fortë, por kemi dhe publikun. Të luash me 20 mijë shikues në Air Albania kundër këtyre ekipeve është një favor shumë i madh”, deklaroi Bushi.
Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka besim se skuadra do të bëjë paraqitje dinjitoze.
“Jam shumë i lumtur që ne do të presim në Tiranë, Spanjën, Italinë dhe Finlandën për t’u përballur me to. Padyshim që ne do të bëjmë më të mirën tonë. Ne kemi një ekip të mirë, kompakt, kemi një staf të mirë dhe një trajner të mirë”, u shpreh Duka.
Kreu i futbollit në vend ka edhe një mesazh për ekipet që do të luajnë në Shqipëri.
“I garantoj ata që do të gjejnë çdo gjë gati, të përshtatshme nga pikëpamja sportive, por do të shijojnë edhe mikpritjen shqiptare dhe do të jenë shumë të lumtur që ishin pjesë e këtij Europiani në Shqipëri”, tha ndër të tjera ai.
Shqipëria do ta nisë rrugëtimin e saj kundër Spanjës, ndeshjen e dytë do ta luajë përballë Italisë dhe dueli i tretë do të jetë përballë Finlandës.
/tvklan.al












Botërori 2026 