Për presidentin e FSHF Armand Duka kundër Italisë më 15 qershor do të jetë ndeshja e jetës.

Kuqezinjtë do të luajnë sfidën e parë të Euro 2024 kundër ‘të kaltërve’ në stadiumin “Iduna Park” të Dortmundit.

Në një intervistë për “Sky Sport Italia” , zv/presidenti i UEFA shpjegoi se përse kjo përballje ka rëndësi të madhe për shqiptarë.

Armand Duka, President i FSHF: Në Dortmund do të luhet ndeshja më e rëndësishme, ndeshja e jetës për ne. Marrëdhëniet tona me Italinë janë të veçanta, shumë shqiptarë jetojnë në Itali, do të jetë një ndeshje speciale. Në “Iduna Park” presim një “mur të kuq”, mendoj se më shumë se gjysma e tifozëve në stadium do të jenë shqiptarë, është një nga ndeshjet e grupeve me më shumë kërkesa për bileta, e dyta pas Gjermani-Zvicër. Italia është kampione në fuqi e Europës. Por edhe ne kemi një skuadër të mirë, kemi bërë paraqitje shumë të mira në kualifikuese.

Duka tha se Italia është favorite në këtë përballje, por ai ka besim te kuqezinjtë.

Armand Duka, President i FSHF: Italia është gjithmonë ndër skuadrat favorite në Kampionatin Evropian, ata janë gjithmonë aty dhe mund të fitojnë. Ata janë një ekip historik, kampion i Evropës, me shumë cilësi, por lojtarët tanë janë të përgatitur mirë. Italia është favorite, shpresoj të jetë një ditë feste në Dortmund!

Zv/presidenti i UEFA-s nga stadiumi “Uembli” foli edhe për finalen e Ligës së Kampioneve Borusia Dortmund-Real Madrid.

Armand Duka, President i FSHF: Të gjithë mendojnë se Real Madridi do të fitojë, por nëse lojtarët e tyre vijnë me mendjen se e kanë fituar trofeun do ta kenë të vështirë. Nëse ju kujtohet finalja e vitit të kaluar, të gjithë mendonin se Mançester Siti do të fitonte lehtësisht, por nuk rezultoi kështu. Do të jetë një ndeshje e vështirë, Reali është një ekip me përvojë, por Dortmundi ka bërë mirë dhe mund të krijojë probleme, mund edhe ta fitojë kupën madje.

Në Euro 2024 Shqipëria është në Grupin B, bashkë me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Ndeshjet e kuqezinjve, si edhe ato të Gjermani 2024, do të transmetohen ekskluzivisht në televizionin Klan.

Klan News