Armand Duka është propozuar për t’u rizgjedhur president i Federatës Shqiptare të Futbollit. Anëtarët e shoqatës rajonale të Tiranës dhe asaj të Elbasanit kanë votuar unanimisht për t’i dhënë besim dhe për një tjetër mandat 4-vjeçar kreut aktual të futbollit në vend.

Këtë të martë u zhvilluan Asambletë e përgjithshme të këtyre shoqatave, ku përveçse dolën emrat e kandidatëve për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv dhe president në FSHF, u bë edhe analiza vjetore për ecurinë e futbollit.

Gjithashtu u diskutuan edhe strategjitë që duhen vënë në zbatim për të rritur cilësinë dhe jo vetëm masivizimin e futbollit, sidomos atë të moshave.

Zgjedhjet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit do të zhvillohen brenda 6-mujorit të parë të këtij viti dhe data do të vendoset në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Armand Duka ka drejtuar deri më tani FSHF-në për 6 mandate radhazi dhe, nëse do të rizgjidhet, ky do të jetë mandati i shtatë.

Tv Klan

/tvklan.al