Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar Egnatian për fitimin e titullit kampion për sezonin 2024-2025.
Në një postim në profilin e tij, Duka shkruan se ishte një sezon fantastik dhe me beteja të shumta.
Në fund, kreu i futbollit shqiptar tha se i dëshiron përfaqësim sa më dinjitoz ekipeve shqiptare në Europë.
“Urime ekipit të Egnatias për fitimin e titullit kampion në Abissnet Superiore! Një sezon fantastik, me beteja të shumta deri në momentet e fundit në kampionatin e rregullt dhe i mbyllur me një finale me emocione në “Arenën Kombëtare”.
Përgëzime për fituesit dhe për të gjitha ekipet garuese, duke nisur nga Vllaznia finaliste e deri tek ekipi i fundit që garoi në Abissnet Superiore për të arritur objektivat e veta.
Urime lojtarëve të Egnatias, stafit teknik, drejtuesve dhe tifozëve që ndoqën dhe mbështetën skuadrën e tyre në këtë rrugëtim të përmbyllur me trofe.
Dëshiroj shumë një përfaqësim sa më dinjitoz të ekipeve tona në kupat e Europës në vazhdim, që do të ishte edhe shpërblimi më i madh për punën e bërë gjatë gjithë sezonit futbollistik”, shkruan Duka.
Egnatia fitoi në finalen e madhe të titullit kampion ndaj Vllaznisë, me rezultatin e thellë 4-0.
/tvklan.al