Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një vizitë historike në komunën e Bujanocit. Prania e tij ishte në kuadër të turneut të futbollit për fëmijë që po zhvillohet në Luginën e Preshevës me mbështetjen e institucionit shqiptar të futbollit.
Ai u prit nga kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, përfaqësues të klubeve shqiptare “Tërnoci” dhe “Besa”, si edhe nga media lokale.
Gjatë takimit, u kërkua mbështetje nga FSHF për rritjen e kapaciteteve në formimin e trajnerëve dhe furnizimin me bazë materiale për klubet, ndërsa një nga temat kryesore ishte përmirësimi i infrastrukturës sportive në këtë komunitet.
Duka konfirmoi angazhimin e FSHF-së për të vijuar me mbështetjen ndaj turneve të ngjashme në të ardhmen. Nga ana e tij, kryetari i komunës së Bujanocit e cilësoi si një nismë me vlera të mëdha sportive dhe shoqërore që forcon bashkëpunimin dhe frymën e unitetit përmes sportit.
Në vazhdim, kreu i FSHF-së u takua edhe me kryetaren e komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani.
Në fokus ishin projektet për përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve, vajza dhe djem, në aktivitete të organizuara dhe bashkëpunimi i mëtejshëm.
Kryetarja Sinani vlerësoi mbështetjen e FSHF-së në organizimin e turneut të futbollit për fëmijë, që për pesë ditë me radhë ka përfshirë mbi 300 fëmijë nga Presheva, Bujanoci dhe diaspora shqiptare në grupmoshat U-7, U-9, U-11 dhe U-13.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 