Nëntë persona janë arrestuar ndërsa dy të tjerë janë në kërkim si pasojë e një operacionit të përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe autoriteteve finlandeze të koduar “Pietari”.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se katër grupet kriminale shqiptare merreshin me trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogave sintetike, kokainë, marijuanë, etj.

“Ky hetim përfaqëson jo vetëm një sukses të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe një arritje e rëndësishme për historinë e SPAK. Krijimi i njësisë së përbashkët hetimore mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze”, tha Dumani.

Ai u shpreh se ky operacion është dëshmi e qartë se krimi ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën.

“Por njëkohësisht hetimi është tregues i besimit që autoritetet ligjzbatuese nordike i kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”, tha Dumani.

Prokurori Alfred Shehu bëri me dije se 11 kërkesat për masat e sigurimit u pranuan nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sa i përket aksionit, prokurori theksoi se u bë në dakordësi me palën finlandeze.

“Në aksion kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të policisë finlandeze. Si rezultat i veprimeve të shpejta u bë i mundur ekzekutimi i masës së sigurimit deri më tani i nëntë personave. Po vazhdon puna për të bërë të mundur arrestimin e dy personave të tjerë”, tha Shehu.

Gjatë zbatimit të masave të sigurimit janë sekuestruar tetë automjete, telefona celularë dhe shumë dokumenteve ku një pjesë e konsiderueshme e tyre konsiderohen me vlerë për hetimin pasi ka të dhëna për komunikimin kriminal të vetë personave nën hetim.

Komisari i Byrosë Kombëtare të Hetimit të Finlandës, Hans Fagerström, i pranishëm në konferencën e përbashkët, tha se hetimi nisi dy vite më parë në Finlandë ku u arrestuan 55 persona.

Ai theksoi se në kuadër të hetimit janë sekuestruar 300 kilogramë drogë që trafikoheshin nga Spanja dhe Holanda.

“Sasia totale e drogës së sekuestruar, 170 kilogramë amfetaminë, 10 kilogramë kokainë, 100 kilogramë marijuanë dhe disa tableta të lëndës narkotike”, u shpreh ai.

Nga hetimi ka rezultuar se drejtuesit kryesorë të këtij rrjeti trafikimi ishin shtetas shqiptarë.

Siç deklaroi kreu i SPAK, Altin Dumani, organizatorët ose krijuesit e grupit kriminal preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu drejtonin gjithë aktivitetin kriminal.

“Aktiviteti shtrihet në vite, katër grupe kriminale”, tha Dumani gjatë konferencës së përbashkët me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë në Finlandë.

Të 11-të personat ndaj të cilëve është lëshuar masa e sigurimit janë shqiptarë, ku njëri prej tyre rezulton jashtë vendit./tvklan.al