Kreu i SPAK, Altin Dumani po raporton në Komisionin e Ligjeve, ku ka paraqitur raportin e punëve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjatë fjalës së tij, Dumani ka renditur disa nga shqetësimet me të cilat ndeshet SPAK.

Altin Dumani: Në kemi paraqitur në raport disa shqetësime, të cilat shpresojmë të gjejnë mbështetje dhe zgjidhje ligjore nga Kuvendi, siç janë:

-Mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre.

-Mungesa e këshilltarëve ligjorë.

-Adresimi i ngarkesës së shtuar, ndaj drejtuesit të SPAK për çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencave të komisionerit publik.

-Mungesa e referimeve nga institucionet publike.

-Shtimi i numrit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

-Numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura.

-Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë për veprat penale, për të cilat SPAK ka në kompetencë.

-Mungesa e kompetencave lëndore të Gjykatës së Posaçme për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit penale për subjektet e posaçme.

Gjatë fjalës së tij, kreu i SPAK, Altin Dumani ka thënë se ka një rënie me 40% të numrit të referimeve nga institucionet publike në SPAK, përjashtuar Policinë e Shtetit. Më tej, Dumani ju ka bërë thirrje të gjithë institucioneve të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Posaçme.

Altin Dumani: Rënie e numrit të referimeve të institucioneve publike me 40%, përjashtuar Policinë e Shtetit, të gjithë institucionet e tjera kanë ulje të kallëzimit. Të gjitha institucionet duhet të bashkëpunojnë më fort me ne. Ne jemi shumë të hapur që të bashkëpunojmë në referimin e veprave penale. Ka vend për thellim të bashkëpunimit me institucionet e tjera.


/tvklan.al